Suzana Varvarica Kuka
UDHA - PREVAL ART RESIDENCE NR 1
UDHA - PREVAL ART RESIDENCE NR 1
ARTISTET PJESMARRES: DESANTILA LIKA / DONIKA ÇINA / ENDRI DANI / ENVER SELIMI / ERNARD DYLI / FATON KRYEZIU / GIADA KUKA / HYSEN VOGLI / ILIR KASO / JOZI FISHEKU / MARTA ZADRIMA / MATILDA ODOBASHI / OLSON LAMAJ / RREZEART GALICA. TEATRI I METROPOLIT / 19.03.2012 / ORA 19.00 ( Dokumentari "UDHA 1" / 22.03.2012 / ora 19.00 )Kuratore: Suzana Varvarica Kuka / Kordinator: Endri Dani
“UDHA” është një nga fjalët më të bukura të shqipes, për të treguar rrugëtimin e mundimeve dhe të gëzimeve, që përshkon çdo qënie njerëzore. Artisti, gjatë gjithë udhës së krijimtarisë së tij, është individi social, që ka ç`të tregojë më shumë se ç`do kush tjetër, rreth kërkimit të bukurisë së sendeve që prek, rreth bukurisë së ndodhive që ndjeson, rreth madhështisë së fenomeneve që shijon. E në fund, historia e përzgjedh artistin si një dëshmitar të lavdërueshëm imazhesh të ideve të veta, përkundrejt botës që e rrethon. Grupi i artistëve të rinj, jetuan në Razëm, për disa ditë me radhë, bashkuan ezistencën e tyre në një prej mjediseve më të më mrekullueshëm malorë të natyrës së Veriut shqiptar. Atje gjetëm atë pjesë të munguar të tharmit në jetën e qytetit të zhurmshëm, vëzhguam ndryshimin e dokeve dhe të zakoneve të herëshme, ndijuam aromat e harruara, shquajtëm diversitetin e ngjyrave, pastruam me ajrin e freskët shpirtin fisnik dhe pasuruam veten me ide dhe energji të reja. Pamja reale e ekpozitës ndahet në dy aspekte. Në aspektin e parë "Udha" sjell një përbërje veprash arti që e marrin nxitjen e krijimit direkt nga fenomeni Razma dhe e dëshmojnë atë si burim i ngjarjes që ndodh në aspektin e dytë. Dhe ky i fundit i i ka dhënë hapësira konceptuale artistëve bashkëkohës, për të shprehur qendrimin e tyre artistik. Në ekspozitën “Udha” imazhet e veprave të secilit artist, lidhen me këndvështrime bashkëkohore të realizmit të një vepre arti në mjedisin artistik të sotëm. Secila vepër nuk është një artefakt i mbyllur në vetvete dhe as nuk është krijuar me qëllimin për të qenë e vetme. Ato janë imazhe të anës së kundërt të fenomeneve që ndodhin. Artisti i sotëm është i përgjegjshëm dhe udhëhiqet nga shqetësimet dhe qëllimet që i ka vënë vetes. Kjo i bën veprat në ekspozitën "Udha" të jenë pjesë esenciale e jetës individuale të botës komplekse të artistit bashkëkohor. Ajo ka një imazh, por ka dhe një subjekt, ka një zanafillë, por ka dhe një çelës udhërrëfyes, ajo ka dëshminë, por ka dhe estetizimin formal apo joformal të fenomenit që ka marrë përsipër ta formësojë si vepër arti. Pasioni me shtyn të mendoj se artistët e "Udhës" janë aktiv dhe kreativ, që përpiqen të shmangin mjegullimin dhe zbukurimin kotsor. Artisti i sotëm, artistët e "Udhës ", kërkojnë t'i afrohen qasjes filozofike se: "Bota (jo vetëm natyra) është e kryer, artisti është një njeri që dëshiron të përkryej botën e brendshme njerëzore". Forca e qendrimit në një vend të tillë i hapi artistëve shtigjet e bashkëpunimit artistik, për të organizuar ekspozitën “Udha" në kryeqendrën e artit, në Tiranë. Imazhet e krijuara gjetën vend në mjediset inspiruese të teatrit Metropol, ku dhomat shushuritëse bashkohen me rruginat e ngushta, të cilat i thërritën artistët të ndërtojnë hapësirat figurative, pa anashkaluar formimin e një instalacioni të vetëm, që sjell pa zhurmë kreativitetin e vazhdueshëm ose ushqimin frymor të veprës së artit.
Nuk ka komente:
Posto një koment