KRITIKA

Suzana Varvarica Kuka

Piktura e Ilo Oxa
eshte besimi i tij

“Piktura ime është besimi im, është ditari i jetës time”. Kjo është një shprehje e shkëputur nga idetë e Ilo Oxës rreth shpjegimit që jep për krijimtarinë dhe jetën e tij. Në dukje, është një shprehje shumë e thjeshtë dhe, të duket sikur gjithkush do ta kishte në majë të gjuhës. Në kuptimin social është mëse e vërtet dhe gjithsecili nga ne do duhej ta thotë, pasi ka në kurrizin e tij thesin e rëndë të kënaqësive dhe problemeve që i ka falur jeta. Por, kur sheh në origjinal veprën e këtij artisti bindesh se nuk është e thjeshtë ta thuash dhe, se kjo thënie ka brenda saj, të gjithë jetën dhe atë ç`ka di të bëj Ilo Oxa me pikturën e tij.
Ekspozita e Ilo Oxës e hapur në Galerinë Kledio, pothuaj në fund të vitit 2011, do të mbetet shumë mbresëlënëse për publikun shqiptar. Kjo ishte hera e parë që ky publik njihej nga afër me krijimtarinë dhe piktorin shqiptar, i cili e zhvillon krijimin e vet dhe e shpenzon kohën më të shumtë të jetës në Bolzano të Italisë. Ai solli në shfaqjen ekspozuese të Tiranës, një nga mënyrat krijuese më të spikatura dhe plotësisht të kuptueshme dhe emocionale për vet publikun. Gjithashtu ai i balli atij pjesë nga jeta e vet dhe pjesë nga qëllimi i kësaj krijimtarie. Nga ana tjetër mori kontaktet e para dhe emocionet e fuqishme, që mbart çdo artist shqiptar i larguar nga vendi i vet fill pas viteve `90, në komunikim me një galeri shqiptare, me shkollën, pedagogët, miqtë, artistët e rinj, rrugët ku ka ecur dhe kujtimet e mbrame.
Një veprimtari e tillë ishte domosdoshmëri jo vetëm për Ilo Oxën, i cili dëshironte me të gjitha ndjesitë e tij të ekspozonte në Shqipëri, por edhe për sistemin e artit të vendit të vet, ishte e rëndësishme njohja me Ilon dhe prekja në original e veprës së tij. Kjo mundësi tashmë e dhënë i hap rrugë edhe kritikës shqiptare të diskutojë dhe të vlerësojë krijimtarinë, subjektin, temat dhe arsyet e zhvillimit të kësaj mënyre krijuese, që artisti ka zhgjedhur.
Vepra e tij ka një frymë të përgjithshme të realizmit dhe hiperrealizmit, që mund ta kanalizojmë edhe me përcaktimin si një realizëm i ri bashkëkohor. Nga pamja e jashtme vizioni i saj është i përcaktuar, transmeton dhe shakton ndjesi të materialit të objekteve, figura e të cilëve risillet përmes filtrimit figurativ dhe aftësisë precise në përdorimin me cilësi maksimale të elementeve të pikturës së drejtëpërdrejtë pasqyruese. Së brendshmi, në skutat e fshehta të ndërgjegjes artistike të Ilos, vepra e tij tregon hapur marrëdhëniet intime dhe mistike të tij me realitetin dhe realizmin më të ri në fushën e arteve pamore, që zhvillohet sot në mjediset europiane dhe më gjërë.
Ilo Oxa, është një artist i rritur, i formuar dhe i stabilizuar në rrugën e vet. Ai ka një lloj inteligjence, e cila nuk është pjesë e kalkulimit matematikor dhe e logjikës së ftohtë. Mendoj se do gabonim po ta perceptonim në këtë mënyrë pamjen e veprave të tij. Kam idenë se kjo pamje është pjesë e integrimit të imazheve të tij në filozofitë realiste. Është shumë e vërtet se është një krijues i aftë i imazhi realist, por kjo do të ishte shumë pak të thuhej për këtë artist. Ai admiron enigmën e objekteve, admiron natyrën e tyre të freskët dhe të prekshme, adhuron kontaktin e tij me këto objekte, duke qëndruar mbi telajo dhe me vështrim mbi organikën e tyre për orë të tëra dhe në këtë arsye përdor gjestin artistik të tij, krejt individual, për ta shprehur këtë admirim. Ilo Oxa, përmes këtij admirimi, sjell të mahnitshmen e fshehur të objekteve dhe e bën publikun të gjallërojë intimitetin e tij për këto objekte, por edhe intimitetin e publikut me imazhin e pikturës së vet. Kjo do të thotë se nuk është më objekti real, por imazhi i tij dhe natyrisht kjo do të thotë se është një realitet krejt tjetër, realiteti artistik. Dua të mos gaboj, por shoh se Ilo Oxa respekton dhe e tregon njëkohësisht edhe aftësinë e tij, por edhe vazhdimësinë e jetës së vet pikturës, e cila të gjithë e dimë nuk është thjeshtë një imazh, por edhe një lëvizshmëri emocionesh objektive dhe subjektive.
Vështrimi me kujdes mbi imazhet e Ilo Oxës nuk sygjeron asnjëlloj manipulimi teknik, por vetëm ndjekje me rigorozitet të qëllimit fillestar, të jep afërsi ndaj të pikturuarit deri në transparencën më themeltare të objektit të kompozuar në një sipërfaqe dydimensionale, ku vet objekti bëhet zot i saj dhe, ku ngjyra i jep katërciprisht fuqinë e mbretërimit.
Shkaku i kërkimeve të tij neorealiste gjehet në formimin e tij akademik, i cili i përkiste realizmit fillestar, por që i ka dhënë atij rrugën (sot të braktisur) e jo frymën. Ky shkak gjehet edhe në aftësitë e tij për të perceptuar natyrën e sendeve, për të ballur natyrën e tij psikologjike. Po ky shkak e shtyn te përqasja me format që ky drejtim artistik e detyron individin të sillet me ndjesitë e tij të brendëshme, të cilat gjenerojnë krijimin e imazheve të reja mbi ata të botës natyrore dhe shpirtërore që e rrethojnë.
Në këtë arsye mendoj se Ilo Oxa është një nga piktorët më në zë të këtij realizmi në vendin e vet. Nuk mund të arrij të then se ç`farë vendi zë ai në vendin ku krijon, në Itali, por mendoj se ka një vend të rëndësishëm, të cilin e përcaktojnë veprimtaritë ndërkombëtare, ku ai është pjesë. Kohët më të fundit dhe natyrisht më 17 nëndor 2011 u promovua botimi shumë serioz me titull “Anuario Arte Y Libertad VI” i autorit Jose Enrique Gonzalez, ku janë pasquruar rreth 500 ilustrime veprash të 107 artistëve me kombësi të ndryshme. Libri është kontribut i Galerisë Artelibera, në Zaragoza të Spanjës. Ky është një nga botimet më prestigjioze, që i është kushtuar krijimtarisë së artistëve realistë dhe hiperrealistë bashkëkohës botërorë, të cilët janë përzgjedhur nga stafi i kësaj galerie me motivin: “Artist i njohur bashkëkohor në nivel botëror në arte”.
Bashkërtistë të tjerë me Ilo Oxën në këtë botim janë Ruben Belloso, Cristina Iotti, Carlos Galvan, Rolando Cubero, J, Enrico
www.ilooxa-studioart.com 

Nuk ka komente: